Pas miratimit në tërësi në Komisionin e Ligjeve, sot pritet të kalojë në seancën plenare për miratim paketa e njohur si paketa e “antishpifjes”. Kjo lëvizje e re e maxhorancës është kundërshtuar nga mediat dhe gazetarët, të cilët kanë pohuar se nuk ka nevojë për ligje ekstra, por kanë këmbëngulur, që mediat elektronike duhet të aplikojnë parimin e vetërregullimit.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike, ka organizuar disa tryeza për këtë çështje, ndërsa veprimin e qeverisë e kanë cilësuar si një akt kundër fjalës së lirë.

Por, pretendimet e ngritura nga shoqatat e mediave dhe nga vetë gazetarët, kanë marrë menjëherë përgjigjen e kryeministrit Edi Rama, i cili ka theksuar se  kjo paketë është përpiluar me ndihmën e OSBE, por edhe nga ekspertë nga Vjena e Austrisë.

Gazetarët sot kanë paralajmëruar një protestë para Kuvendit me qëllim kundërshtimin e kësaj pakete, të cilën e shohin si veprim arbitrar kundrejt medias  dhe lirisë së shprehjes.