Tërmeti i 26 nëntorit 2019 shkaktoi “lëkundje tektonike” në buxhetin e shtetit, pikërisht në Durrës, pasi fondet e destinuara për mbylljen e lendfillit të Porto Romanos do të përdoren për eliminimin e pasojave të ngjarjes së rëndë sizmike.
Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve njofton se ka anuluar tenderin për mbylljen e vend-depozitimit ekzistues të mbetjeve të ngurta EKO-Park, Durrës në Porto Romano. Bëhet fjalë për një fond limit të konsiderueshëm, që arrin në afër 1,7 miliardë lekë (rreth 14 milionë euro), si dhe prokurimin për mbikëqyrjen e punimeve për mbylljen e vend-depozitimit ekzistues të mbetjeve të ngurta EKO-Park, Durrës në Porto Romano. Fondi limit për këtë tender ishte mbi 15 milionë lekë (123 mijë euro).
Autoriteti kontraktues bëri të ditur se ky investim i rëndësishëm për Durrësin u bllokua në zbatim të shkresës së Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë së 2 dhjetorit 2019 “Mbi prioritetin e pagesave në kushtet e gjendjes së shpallur të fatkeqësisë natyrore”.
Th.M.





