Autoriteti Portual Durrës ka njoftuar pasditen e sotme se ka një ndryshim përsa i përket qytetarëve që do të udhëtojnë përmes portit më të madh në vend në këtë periudhë festash, kur fluksi është i lartë. APD bën të ditur se procesi i check-in, mbyllet një orë para mbylljes së portës hyrëse në Terminalin e Trageteve, në orën 22:00.

“Me qëllim përballimin e fluksit përgjatë festave të fundvitit, njoftohen qytetarët që do të zgjedhin të udhëtojnë nga Porti i Durrësit se, porta hyrëse në Terminalin e Trageteve do të qëndrojë e hapur deri në orën 23.00. Për rrjedhojë procesi i check-in, mbyllet një orë para, pra në orën 22:00” – shkruan APD në faqen zyrtare në rrjete sociale.

Ky orar do të jetë në fuqi vetëm gjatë periudhës së fluksit para dhe pas festës së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

“Ky vendim lehtësues do të zbatohet për periudhën 16 Dhjetor 2019 – 15 Janar 2020. Udhëtim të mbarë!” – shkruan në përfundim të njoftimit Autoriteti Portual Durrës.