13 persona do të dalin para togave të zeza në Sarandë këtë të premte, për t’u njohur me masat e sigurisë, pas vrasjes së bujshme të turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes, ngjarje e ndodhur tre ditë më parë në ambientet e jashtme të një lokali në Ksamil.

Policia ka kryer kontrolle në tre qytete të vendit për kapjen e dy personave të tjerë, të shpallur në kërkim. Bëhet fjalë për pronarin e lokalit “Principotes” ku nisi sherri fizik dhe një 29-vjeçar i cili dyshohet si bashkëpunëtori kryesor në krim, pasi ka goditur me grushte turistin teksa bashkëmoshatari i tij e godiste me thikë.

Ndërkohë, në dëshminë e tij, 29-vjeçari Sokrat Vata, i cili punonte si truprojë te beach bar-i, ka theksuar se gjithçka ka ndodhur në kushtet e vetëmbrojtjes. Sipas tij, thika ishte e turistit 20-vjeçar dhe se zanafilla e konfliktit ishte momenti që ai u ka kërkuar një grupi turistësh të mbajnë qetësi, me pretendimin se këta të fundit ishin nën efektin e alkoolit.

Vetë ai i është nënshtruar ekzaminimeve mjekësore për shkak se ka shenja goditjeje në trup.