Gjykata e Durrësit ka lënë në burg 9 të arrestuarit në lidhje me pasojat e rënda që shkaktoi tërmeti tragjik i 26 nëntorit, ku në qytetin bregdetar humbën jetën 24 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.
Gjyqtari i çështjes, Paulin Cera dha masën “arrest me burg” për të gjithë të arrestuarit, të cilët dolën sot para gjykatës për rivlerësimin e masës së sigurisë.
Kujtojmë se më herët, Prokuroria kërkoi masën “arrest me burg” për të arrestuarit ndërsa avokatët kërkuan masë më të lehtë shtrënguese.
Mësohet se vendimi i togave të zeza është pritur me mjaft tensione nga familjarët në sallë, pasi i afërmi i një prej të arrestuarve humbi ndjenjat.
Të arrestuarit janë:
1-Arben Isaku, 42 vjeç, me detyrë ish-drejtor i ALUIZNI-it Durrës, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
2-Klajdi Lame, 32 vjeç, në cilësinë e inspektorit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Durrës, në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
3-Albrend Qetka, 35 vjeç, në cilësinë e specialistit të verifikimit në terren pranë ALUIZNI-it, Durrës, në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
4-Kujtim Hasa, 53 vjeç, në cilësinë e shefit të shërbimeve të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, i dyshuar si autor i vepres penale “Vrasja me dashje”.
5-Ahmet Doda, 52 vjeç, në cilësinë e drejtorit të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
6-Rruzhdi Xheka, 79 vjeç, në cilësinë e ndërtuesit informal në objektin “Hotel Mira Mare”, ku humbën jetën 2 shtetas, i dyshuar si autor i veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.
7-Avdulla Osmani, 61 vjeç, në cilësinë e ndërtuesit informal të legalizuar më vonë në menyrë të paligjshme të objektit “Hotel Tropikal”, ku humbën jetën 2 shtetas kosovarë, i dyshuar si autor i veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.
8-Defrim Celami, 44 vjeç, në cilësinë e specialistit që ka përpiluar aktin e ekspertimit teknik në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës.
9- Nevjana Isufi, 45 vjeçe, e cila me studion e saj private hartonte projekte fiktive, e dyshuar si autore e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Personat e shpallur në kërkim:
1. Arben Qato pronar i Vila Palma
2. Dëshira Qato-shefe e urbanistikës në Kavajë (Gruaja e Arben Qatos)
3. Aldo Dakovelli, shef sektori në Kadastrën e Durrësit
4. Artemis Malko punonjës terreni në Kadastrën e Durrësit
5. Artur Cela, ish-drejtori i INUV
6. Flamur Gjuzi, ish-drejtori i ALUIZNIT Durrës, dhe ish-kandidat i LSI për deputet
7. Artur Terziu, pronari i “Bar Barons”
8-9. Dy ndërtuesit e banesës së familjes Lala në Kënetë





