Një ndërtesë dy katëshe e amortizuar pranë banesës, do të detyrojë dy familje në lagjen nr.3 të Durrësit të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të rrezikut që iu kanoset.

Pas verifikimeve, inspektorët e Institutit të Ndërtimit kanë vendosur tabelat ku ndalohet rreptësisht hyrja në këto godina pasi ka rrezik shembjeje si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit.

Ditë më parë, familjarët e njërës ndërtesë, ngritën shqetësimin e tyre në redaksinë e “DurrësLajm” pasi kërkonin të dinin nga autoritetet nëse banesa e tyre një katëshe është sigurt për të banuar apo jo.

Dallëndyshe Lila shprehej se ajo dhe familja e saj ndiheshin në rrezik për jetën nga godina ngjitur, plasaritjes e së cilës janë të dukshme.

Tërmeti me magnitudë 6.4 i shkallës Rihter shkaktoi 51 viktima dhe qindra të plagosur ndërsa mijëra persona mbetën pa shtëpi.

Deri më tani, Këshilli Bashkiak Durrës ka miratuar listën për 1310 familje (nga 660 familje që ishte miratuar në mbledhjen e kaluar) të dëmtuara nga tërmeti të cilat kanë fituar nga aplikimi i bonusit të qirasë.