E ndërtuar vetëm 4 vite më parë, shkolla 9-vjeçare “Neim Babameto” në Durrës, me mbi 900 nxënës, është shembur sot nga fadromat e IKMT-së.
Dy kollonat kryesore të saj në pjesën ballore janë dëmtuar rëndë, ndërsa nxënësit janë detyruar të shkojnë në shkollën e mesme “Leonik Tomeo”, në oraret e pasdites.
Kjo situatë ka sjellë reagimin e nxënësve dhe të prindërve të cilët duhet të çojnë fëmijët nga zona e Porto Romanos e Spitallës, në drejtim të stadiumit, ku gjendet shkolla pritëse.
Nxënësit e kanë shumë të vështirë zhvendosjen pasi rruga që duhet të përshkojnë është një nga akset më të mbingarkuara në Durrës, pasi aty kalojnë qindra autobote të ngarkuar me lëndë djegëse, që shpërndahen në të gjithë Shqipërinë, në Kosovë e Maqedoni. Ndërsa prindërit janë vënë në alarm.
Shkolla “Neim Babameto” është vetëm një prej 12 shkollave që u goditën nga tërmeti në rrethin e Durrësit, por është e vetmja që po prishet.
“Neim Babameto” ishte shkolla me jetën më të shkurtër në Durrës, pasi u ndërtua me fonde të buxhetit të shtetit katër vjet më parë.





