Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se i ka kërkuar sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, që KFOR-i, misioni i aleancës në Kosovë, të ndalë zvogëlimin gradual të pranisë në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë të Veriut.
“Sapo i dërgova një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe kërkova që KFOR-i, në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së, të ndalë terrorin ndaj serbëve, përndjekjen dhe arrestimet e tyre, rrënimin e shtëpive, si dhe hapjen e urës mbi Ibër”, shkroi Vuçiç në Instagram më 20 gusht.
“Besoj se vlerësimi i tij do të jetë se paqja dhe stabiliteti rajonal janë të një rëndësie të madhe”, shtoi ai.
Më vonë gjatë mbrëmjes së 20 gushtit, Vuçiç tha se pret që Rutte të përgjigjet ndaj letrës së tij “në një mënyrë apo në një tjetër” gjatë ditëve në vijim.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar NATO-s për koment lidhur me kërkesën e Vuçiçit dhe është në pritje të përgjigjes.
Mitrovica, pas luftës së vitit 1999, u nda në pjesën veriore, me shumicë serbe, dhe atë jugore, ku shumicën e përbëjnë shqiptarët. Sot ato funksionojnë si dy komuna të ndara.
Megjithatë, që nga përfundimi i luftës, KFOR-i e ka mbajtur nën mbikëqyrje urën mbi Ibër, e cila ndër vite ka qenë pikë e përplasjeve ndëretnike.
Sipas Vuçiçit, tërheqja e KFOR-it nga ura në këtë moment do të “krijonte kushte për një përballje përfundimtare me popullsinë serbe” në veri të Kosovës.
Ai tha se autoritetet në Serbi do të vazhdojnë “luftën politike me të gjitha mjetet e mundshme”, duke mos përjashtuar as mundësinë e thirrjes së një seance të posaçme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Vuçiç tha gjithashtu se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviq, ka zhvilluar një bisedë “shumë të vështirë” dhe “të keqe” me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash.
Ulutash u takua më 12 gusht edhe me përfaqësues të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit dhe që gjithashtu kundërshton zvogëlimin e pranisë së KFOR-it në urën mbi Ibër.





