Shërbimet e Policisë Bashkiake të Durrësit vazhdojnë non stop punën në këto ditë të jashtëzakonshme që prej mëngjesit të 26 nëntorit kur vendi u godit nga tërmeti shkatërrimtar, në gadishmëri të plotë dhe në zbatim edhe të detyrave të marra në Shtabin e Emergjencave të Bashkisë.

Të gjithë punonjësit e Policisë Bashkiake vijojnë punën me shërbim të përforcuar në terren për të ofruar siguri, ndihmë për komunitetin si dhe në mbështetje të masave të marra bashkë me Drejtoritë e tjera të Bashkisë për t’iu gjendur sa më pranë banorëve të prekur nga tërmeti dhe për t’i ndihmuar ata në këto ditë të vështira, duke bërë transportimin nëpër qendrat dhe hotelet e percaktuara.

Mbrëmjen e së dielës, efektivët e Bashkiakes iu kanë dhënë ndihmën e menjëhershme katër familjeve, të cilat kishin anëtarë të tyre me probleme shëndetësore.

Kreu i Policisë Bashkiake Vasip Çopa, tha për “DurrësLajm”, se u bë i mundur transferimi i tyre nga bashkia në drejtim të resortit “Fafa” te Mali i Robit, si dhe i një familjeje tjetër nga spitali i qytetit në drejtim po të këtij resorti.

E gjithë trupa e Policisë Bashkiake janë të organizuar maksimalisht duke koordinuar veprimet dhe me Shtabin e Emergjencës të ngritur nga qeveria, të cilat janë dislokuar në bashkinë Durrës.

Grupet e punës që kanë në përbërje grup inxhinierësh vendas dhe të huaj, si dhe punonjës apo inspektorë të bashkisë Durrës, janë në mbështetje të IMTV-së dhe IKMT-së për prishjet e objekteve që janë të përcaktuara.