Këshilli Bashkiak i Durrësit ka miratuar listën me 660 familje të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, të cilat përfitojnë subvencionim qiraje.

Në këtë mbledhje urgjente që kishte vetëm një pikë në rendin e ditës, u votua në mënyrë unanime bonusi i qirasë për 660 familjet e para që kanë aplikuar pranë bashkisë Durrës, pas dëmtimit të banesave nga tërmeti i 26 nëntorit.

Ndërkohë, vlera e pagesës së qirasë mujore do të jetë në varësi të madhësisë së familjes, tipit të banesës. Zëvendës kryetari i bashkisë, Florian Tahiri shpjegoi edhe rrugën që familjet me banesa të pabanueshme duhet të ndjekin për të përfituar këtë bonus.

Kjo është vetëm lista paraprake, pasi tërmeti i 26 nëntorit la pa shtëpi me mijëra familje në bashkinë e Durrësit dhe jo vetëm.