Kryetari i përkohshëm i bashkisë së Durrësit, Zhulien Varfaj, sqaroi sot nga salla e Këshillit Bashkiak, të gjithë ata banorë të Durrësit, të cilët kanë pasur një banesë me qira dhe iu është dëmtuar nga tërmeti, që nuk do të përfitojnë bonus nga shteti.

Varfaj theksoi se asnjëherë nuk trajtohen ato familje që kanë qenë me qira dhe mund t’iu jetë prishur shtëpia nga tërmeti i 26 nëntorit. Ai sqaroi më tej banorët se ka një keqkuptim, “pasi të gjithë ata që kanë qenë me qira po aplikojnë për të marrë këtë bonsus qiraje”. Kjo kategori nuk përfiton ndihmë nga shteti, pra duhet të marrin një tjetër banesë me qira dhe t’i përballojnë vetë shpenzimet e qirasë.

“Këtë fond ne e kalojmë si numër familjesh, në vlerë lekësh do të kalojë pas aplikimit dhe pasi qytetari ka ardhur dhe ka paraqitur kontratën me qiradhënësin. Gjatë kësaj kohe ne do të bëjmë listën e gatshme dhe si administratë bashkie t’jua miratojmë dhe bonusi i qirasë të kalojë me një vendim qarkullues nëse do të jetë e nevojshme”, tha Varfaj.

Sot Këshilli Bashkiak i Durrësit ka votuar në mënyrë unanime bonusin e qirasë për 660 familjet e para që kanë aplikuar pranë bashkisë Durrësit, pas dëmtimit të banesave nga tërmeti i 26 nëntorit. Këto familje do të përfitojnë nga subvencionimi i qirasë.