Një ditë pas marrjes së detyrës së Prokurorit të ri të Përgjithshëm, Olsian Çela e ka nisur punën furishëm. Mëngjesin e sotëm, Çela ka mbërritur në Durrës për të ndjekur nga afër se si po shkojnë hetimet për ndërtesat e shembura nga tërmeti.

Ditën e djeshme gjatë ceremonisë së marrjes së detyrës, kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, premtoi hetime të thelluara për tërmetin, duke shtuar se do gjenden mekanizmat e duhur që të publikut t’i kthehet besimi te drejtësia dhe prokuroria të tregojë se është në lartësinë e duhur.

“Vendi po përballet me një krizë, për shkak të ngjarjeve në fund të muajit nëntor, dhe përgjigja që duhet të japë prokuroria duhet të spikas. Njerëzit kërkojnë drejtësi, prandaj kjo kërkon një angazhim maksimal dhe të tregojmë se jemi në lartësinë e duhur”, u shpreh ndër të tjera Çela.

Ndërkohë Prokuroria e Durrësit, më datë 29.11.2019 ka regjistruar çështjen penale që i referohet tërmetit të datës 26.11.2019 ku si pasojë e tij janë shembur një numër ndërtesash që kanë shkaktuar vdekjen e një numri personash. Për këtë dyshohet se pasojat kanë ardhur si shkak i ndërtimeve pa leje dhe të moskryerjes së detyrës nga inxhinierët zbatues dhe personave pergjegjës si dhe nga mospërmbushja e rregullt e detyrës nga nepunësit shtetëror të ngarkuar me mbikqyerjen e këtyre ndërtimeve. Çështja është regjistruar për veprat penale; "Ndërtim pa leje", dhe "Shpërdorim detyre", parashikuar nga nenet 199/a, 3 dhe 248 k.penal.