Numri i kërkesave për strehim në qytetin e Durresit pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit vijon të rritet. Aktualisht janë 500-600 qytetarë që presin të strehohen, ndërkohë që bashkia po punon për gjetjen e hoteleve të reja.

Nënkryetari i bashkisë së Durrësit, Florian Tahiri, thotë se deri tani janë strehuar afro 3000 vetë në hotele të ndryshme dhe kërkesat po rriten.

Tahiri shtoi se paralelisht me strehimin e banorëve të rinj, do evidentohen ata që janë larguar nga frika dhe tashmë pas verifikimit nga ekspertët, banesat që janë të sigurta, ata do të kthehen në shtëpitë e tyre.

Para se të lidhen marrëveshjet me hotele te reja, bashkia dërgon fillimisht një grup ekspërtesh për të verifikuar gjendjen e godinës pas tërmetit dhe më pas lidhet kontrata.

Sakaq, nënkryetari i bashkisë thekson se ata banorë që kanë jetuar me qira, do të vazhdojnë të jetojnë me qira ashtu sikurse kanë jetuar para se vendi të goditej nga tërmeti shkatërrimtar, pra nuk do të përfitojnë nga akomodimi në hotel.