Ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama se administratës nuk do t’i mbahet nga rroga asnjë lekë për të shkuar për fondet e të prekurve nga tërmeti.
Përmes një postimi në Facebook, Vokshi e akuzon kryeministrin Rama për mashtrim, ndërsa ka postuar një vendim ku thuhet se si jepet urdhër drejtorisë së policisë së Shkodrës që të kontribuojnë për të prekurit nga tërmeti.
POSTIMI I PLOTË
Sa më e madhe fatkeqësia, aq më intensive dhe e pamëshirshme makineria e propagandës së Edi Ramës që përmes mashtrimit nuk kursen askënd as fëmijë, as persona me aftësi ndryshe, as gra e të moshuar, as policë apo profesionistë.
Sot, Kryeministri Rama mashtroi përsëri kur tha që nuk i kanë detyruar punonjësit të japin lekë nga rroga e tyre. Po postoj eshe një herë Urdhrin e paligjshëm 1933, dr 27.11.2019 që urdhëron mbajtjen e pjesshme të pagave të policëve në Shkodër.
Duke keqpërdorur qëllimshëm vendosjen antikushtetuese të gjendjes së jashtëzakonshme, interesi kryesor i Kryeministrit këto ditë është të hapë sheshe ndërtimi. Ndaj edhe s’u jep qytetarëve akt ekspertimin për shtëpitë e pallatet.





