Policia ka arrestuar 11 persona dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë në lidhje me vrasjen e 20-vjeçarit portugez në Ksamil, ngjarje e ndodhur në orët e para të mëngjesit të 18 gushtit.

Në pranga ka rënë edhe 29-vjeçari S. L., alias S. V., nga Hasi, i dyshuar si autori që ka goditur disa herë me thikë viktimën. Ai u kap në Levan të Fierit, i fshehur në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një 31-vjeçare me shtetësi turke. Në makinë ndodhej edhe një 38-vjeçar turk. Sipas Policisë, dy shtetasit turq kishin njohje me 29-vjeçarin dhe po e transportonin drejt Tiranës.

Në lidhje me ngjarjen janë arrestuar gjithsej 11 persona, mes tyre dy shtetas turq, disa kamarierë të lokalit ku nisi konflikti dhe katër persona që kishin shërbyer si pjesë e sigurisë së lokalit.
Policia bën me dije se konflikti ka nisur rreth orës 05:15 në ambientet e lokalit “Principote” dhe më pas ka vijuar në plazhin “Paradise”. Gjatë përplasjes, 29-vjeçari S. L., alias S. V., dyshohet se ka goditur me thikë disa herë 20-vjeçarin portugez, ndërsa D. H., 29 vjeç, i shpallur në kërkim, dyshohet se e ka goditur viktimën me grushte.

Sipas hetimeve paraprake, të dy akuzohen për “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Në konflikt dyshohet se janë përfshirë edhe katër kamarierë të lokalit, të cilët, sipas Policisë, kanë goditur me grushte 20-vjeçarin para se ai të goditej me thikë.

Në momentin e ngjarjes, në lokal ndodheshin edhe katër persona me detyrë sigurie, mes tyre punonjës të strukturave të Policisë dhe të sigurisë publike. Sipas Policisë, ata nuk kanë ndërhyrë për të parandaluar konfliktin dhe pas ngjarjes nuk kanë njoftuar autoritetet.

Ndërkohë, në lokalin “Principote” ndodhej edhe pronari, B. B., 36 vjeç, i cili është shpallur në kërkim. Sipas hetimeve, ai është larguar pas ngjarjes pa e kallëzuar atë në autoritetet përkatëse.

Në kuadër të hetimit, në Komisariatin e Policisë Sarandë janë shoqëruar 41 persona.

U arrestuan shtetasit:

Sokrat Lipan alias Sokrat Vata
Nuh Mahmutoglu, dhe Ezgi Perlak, të dy me shtetasi turke
Serxhi Selimi,
Ervis Bunci,
Ildi Cekani
Murat Zhabina
Miosid Matushaj
Luciano Seferi,
Romeo Shehu
Kristi Koshi
U shpallën në kërkim shtetasit 

David Heurtevent,
dhe Bekim Bulica;