Vazhdon shembja e objekteve në Durrës, të cilat janë vlerësuar nga grupi i ekspertëve me risk të lartë.
Mëngjesin e kësaj të premteje, filloi prishja e një ndërtimi të përcaktuar nga grupi i inxhinierëve dhe me vendim të IKMT-së dhe IMTV-së te rruga dytësore pranë Urës së Dajlanit në Plazh.
Objekti në fjalë është 5-katësh dhe shembja po bëhet me fadromë. Ndërkohë, gjatë ditës së sotme pritet të vijojë procesi i shembjes së 6 objekteve të tjera në Durrës dhe në zonën e ish-Kënetës, bënë me dije për “DurrësLajm” burime nga Policia Bashkiake.
Policia Bashkiake dhe Policia e Shtetit si dhe grupi i zjarrfikëseve kanë marrë masa për prishjen e objektit në mënyrë të sigurt.
Në total në të gjithë Qarkun Durrës, nga data 29.11.2019 – 05.12.2019 me shembjen e djeshme të objektit 3-katësh në Shkozet, janë shembur gjithsej 28 objekte: 10 objekte në qytetin e Thumanës, dhe 18 objekte në Bashkinë Durrës.
Numri në total deri më tani i objekteve për t’u prishur në Durrës, ka shkuar në 70, sipas zv.ministres së brendshme Rovena Voda. Shumë i lartë është numri i objekteve që do të shemben në Shijak, plot 285.





