Teksa vijon inspektimi i objekteve të dëmtuara në Durrës nga grupet e inspektimit, OSHEE ka shpërndarë në terren 9 grupe, 3 prej të cilave i ka Durrësi, të cilat ndahen respektivisht sipas zonave: një në qytet; një në Plazh e Shkozet dhe një në Spitallë e Kënetë. Në bazë të ngarkesës që mund të kenë, grupet për qytetin edhe mund të jenë dubluar sipas fluksit.
Kreu rajonal i OSHEE-së për Durrësin, Plator Mehmeti, në një prononcim për “DurrësLajm”, informon rreth masave që janë marrë këto ditë pas tërmetit shkatërrimtar. Aktualisht, vijon puna me kontrollin e bokseve dhe ndërkohë po mbahen shënim matësit, pasi ka raste që ka dhe matësa të dyshimtë.
Te pallatet që kanë pësuar dmëtimet më të mëdha dhe kur ka urdhër nga autoritetet për stakim energjie, punonjësit e OSHEE-së shkojnë për të bërë stakimin e energjisë, thotë Mehmeti.
Këtu mund të përmendet rasti konkret te një pallat në zonën e Plazhit, te Kali i Trojës, ku ishte boksi i dëmtuar dhe momentalisht është stakuar energjia.
Kjo masë merret për momentin, për të siguruar jetën e banorëve durrsakë, sepse pavarësisht faktit që janë vlerësuar si objekte të pabanueshme, ka ende banorë që qëndrojnë në këto banesa apo shkojnë për të marrë sendet e tyre.
Ndërkohë, OSHEE parashikon edhe lehtësira për debitorët, pasi janë në fazë diskutimi për ata debitorë që janë me akt amarrëveshje, nëse shuma që kanë për të shlyer mund të ulet, apo mund të zgjatet më tej afati.





