Pas mbledhjes që Kryeministri Edi Rama zhvilloi me komisionerin e ri europian për Menazhimin e Krizave, Janez Lenarčič në Shtabin e Emergjencave në Durrës, ku diskutuan për pasojat e tërmetit dhe nevojat e qeverisë shqiptare për të kaluar krizën pas tërmeteve, kanë dalë për inspektim për të parë nga afër pikat e goditura nga tërmeti.
Ata u ndalën te shkolla 9-vjeçare “Neim Babameto”, e cila ka pësuar dëmtime të shumta e serioze. Kjo shkollë në Durrës ku mësojnë rreth 900 nxënës, do të shembet pasi grupet e ekspertëve e kanë klasifikuar si objekt me rrezikshmëri për jetën e nxënësve apo stafit pedagogjik.
Rama dhe eurokomisioneri u prit nga një grup mësuesish të kësaj shkolle, nxënës e prindër. Ai tha se shkolla do të shembet e do të bëhet e bukur "si kjo nona këtu", duke iu referuar një gjysheje që ndodhej aty.





