Situata e zjarreve në vend paraqitet në përmirësim. Ministria e Mbrojtjes njofton se deri në orën 20:00 të 18 gushtit janë regjistruar 7 vatra zjarri, nga të cilat 4 mbeten aktive dhe 3 janë nën monitorim.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 140 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa ndërhyrja nga ajri është mbështetur nga 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.

Në Dajt të Tiranës vijon puna për izolimin e vatrës me 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatra në Priskë është riaktivizuar, por po ndiqet nga forcat operacionale dhe nuk rrezikon banesat.

Në Lufaj të Mirditës, vatra mbetet aktive, por me intensitet të ulët dhe avancim të lehtë. Forcat janë pozicionuar pranë zonës dhe aktualisht nuk ka rrezik për banesat.

Situata mbetet aktive edhe në Malin e Tërbunit në Pukë, ku operacioni zhvillohet në terren të vështirë. Në terren janë angazhuar 13 zjarrfikës, 8 punonjës të Shërbimit Pyjor, 45 forca bashkiake, 22 vullnetarë dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga dy helikopterë. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, zjarri në Gurë-Lurë është shuar plotësisht pas një operacioni ku morën pjesë rreth 150 forca vendore, 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy avionë “Air Tractor”.

Është shuar plotësisht edhe vatra në Bruç të Matit, ndërsa vatrat në Qafë Helmës, Tharr dhe Selenicë janë nën monitorim dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë vendin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të Mbrojtjes Civile.