Ministrja e Arsimit Besa Shahini, në një deklaratë për mediat njoftoi në lidhje me nisjen e procesit mësimor. Shahini bëri me dije se në Tiranë mësimi do të fillojë ditën e hënë, më 9 dhjetor. Gjithashtu ajo theksoi se do të shkurtohen edhe pushimet, për të bërë kompensimin e orëve të humbura.

“Qarku Durrës, bashkia Kurbin, Vorë dhe Tiranë fillojnë mësimin në 9 dhjetor, të tjerat nesër. Në 9 qarqe që nuk janë në gjendje të jashtëzakonshme mësimi ka filluar normalisht, ndërsa për tre qarqet e tjera do të fillojë nesër pjesërisht. Në Lezhë nesër fillon në bashkinë Mirditë, një shkollë e dëmtuar në Shënkoll dhe nesër nxënësit do të jenë të zhvendosur. Në Kurbin ka numër më të madh të shkollave të dëmtuara dhe mësimi fillon në 9 dhjetor që të bëhen riparimet.

Në Rrogozhinë dy shkolla të vogla me probleme mësimi fillon nesër. Në Kamzë një shkollë e dëmtuar ‘Sulejman Elezi’ transferohet te ‘Azem Hajdari’ në turin e dytë pasdite, pra mësimi fillon nesër.

Në Kavajë ka dy shkolla të dëmtuara, nxënësit do të transportohen, mësimi fillon nesër. Në Vorë është dëmtuar shkolla në Marikaj, nxënësit në Marqinet, mësimi fillon në 9 dhjetor. Në Tiranë përveç Pezës nuk ka shkolla të tjera për të nxjerrë komplet jashtë funksionit.

Për kopshtet dhe shkollat private duhet të marrin një konfirmim nga instituti i ndërtimit, të vlerësohen që të jemi të sigurt. Për shkollat që rrezikojnë të mos hapen as në 9 dhjetor kemi plan për t’i zhvendosur në shkolla të tjera. Në zonat rurale kemi siguruar transport.

Për të gjitha shkollat private me probleme, pronarët të sjellin planin e zhvendosjes së nxënësve. Në hotelet ku janë sistemuar qytetarët kemi filluar sistemin për themelimin e shkollave të përkohshme. Mësimi do të fillojë në datë 9 Dhjetor. Dita e Rinisë 8 Dhjetor, nuk do të bëhet pushim në datë 9 për shkak të orëve që kanë humbur”, u shpreh ministrja.

Ndërkohë, siç lexohet edhe në urdhrin e mëposhtëm të MASR, në pikën 3 të tij theksohet se, institucionet private të arsimit, mund të rinisin që nesër procesin mësimor nëse marrin certefikimin nga bashkia respektive.

Njoftimi i Ministrisë:

Përshëndetje, Për të interesuarit, ju lutem gjeni më poshtë urdhërin e MASR në lidhje me rifillimin e procesit mësimor. Një pikë e rëndësishme është edhe pika 3 e këtij urdhëri mbi procesin mësimor në institucionet arsimore private, gjë që u theksua edhe në konferencën e sotme të ministres: "Shkollat dhe kopshtet private që kanë marrë konfirmimin për infrastrukturë të qëndrueshme nga Instituti i Ndërtimit, si dhe çerdhet dhe kopshtet të certifikuara nga bashkia, MUND të fillojnë mësimin që nga dita e nesërme". Faleminderit për bashkëpunimin tuaj.