Drejtori i Policisë së Shkodrës Niko Brahimaj, ka nxjerrë një urdhër për të gjithë punonjësit e policisë në Shkodër, që të kontribuojnë për familjet e prekura nga tërmeti tragjik që goditi vendin mëngjesin e 26 nëntorit.

Në urdhrin, që mban datën 27 nëntor, fill një ditë pas tërmetti shkatërrimtar, një kopje të së cilit e ka siguruar edhe “DurrësLajm”, kërkohet që drejtori, zv/ drejtori dhe shefat e komisariateve të kontribuojnë me nga 5 mijë lekë të rinj, ndërsa shefat e sektoreve dhe të seksioneve me nga 4 mijë lekë.

Edhe specialistët, ndihmëspecialistët dhe punonjësit e tjerë iu kërkohen të kontribuojnë, por me një shumë më të ulët, me nga 3 mijë lekë, ndërsa civilët me nga 2 mijë lekë.

Kontributet e mbledhura brenda datës 2 dhjetor, sikurse kërkohet nga policia e Shkodrës, kanë qëllim që të shkojnë për të prekurit nga tërmeti, dhe shoqëruar me listën emërore, do të dorëzoheshin në Sektorin e Burimeve Njerëzore.