Mëngjesi i së dielës në Durrës, përveç lëkundjeve të tërmetit, nisi edhe me lajmin që bëri xhiron e mediave, dorëheqjen e kryebashkiakes Valbona Sako. Pas dy gafave të bëra në prononcime për shtyp, Sako dhe dorëheqjen, e cila u pasua edhe nga dorëheqja e nënkryetares Etleva Kondi.
Në orën 13.00, në mbledhjen urgjente të Këshillit Bashkiak këshilltarët votuan në mënyrë unanime zgjedhjen e Zhulien Varfajt në krye të bashkisë.
Po kush është Zhulien Varfaj, i cili zgjidhet në një moment krize për Durrësin?
Zhulien Varfaj është një nga personat më të besuar të Vangjush Dakos dhe për 12 vite ka mbajtur postin e nënkryetarit të bashkisë.
Varfaj nuk është një emër i panjohur për durrsakët dhe për mediat gjithashtu. Ndër vite ai ka mbajtur një profil të ulët publik, ndërsa më i angazhuar dhe më mediatik Varfaj shfaqej vetëm në vitet kur bashkëshortja e tij organizoi në Durrës "Festivalin Ndërkombëtar të Filmit".
Deri më tani, Zhulien Varfaj ka disa akuza që i rëndojnë mbi supe, të cilat janë bërë publike në media.
Në janar të këtij viti, emisioni “Stop” trajtoi rastin e tenderit të autobusëve në bashkinë e Durrësit, ku pretendohej se Bashkia kishte skualifikuar pa të drejtë kompaninë “Vata trans”. Nënkryetar i Komisionit Vlerësues ishte nënkryetari i Bashkisë, Zhulien Varfaj.
Ndërkohë, në vitin 2013, Kontrolli i Lartë i Shtetit çoi për ndjekje penale dy zëvendësit e kryebashkiakut Vangjush Dako në atë kohë Adrian Çela (aktualisht drejtor i përgjithshëm i OSHEE) dhe Zhulien Varfaj që akuzoheshin se kishin favorizuar, të dy në dy tendera të ndryshëm, fituesit e punëve publike për rikonstruksionin e bulevardit dhe gjelbërimin e qytetit. Në listën e të akuzuarve nga institucioni i Leskajt janë edhe anëtarët respektivë të komisionit të tenderave.
Sipas KLSH-së, në të dy tenderat është ndjekur pothuajse e njëjta mënyrë, të cilën raporti e quan abuzive.
Njëkohësisht, raporti i KLSH-së në atë kohë fliste edhe për një tjetër dëm, këtë radhe rreth 1.3 milionë USD, por pa të akuzuar, i cili ishte shkaktuar nga mosvjelja e taksave ndaj biznesit dhe ndërtuesve.
Raporti i KLSH për Bashkinë Durrës në vitin 2013:
Të denoncuar
• Nënkryetari i Bashkisë, Adrian Cela
• Komisioni i tendrit për Bulevardin kryesor Dyrrah
• Nënkryetari i Bashkisë, Zhulien Varfaj
• Komisioni i tenderit për “Gjelbërimin e qytetit”
• Grupi i kolaudimit për “Gjelbërimin e qytetit”
Dëmi
• Për tenderin e bulevardit, 19,327,868 lekë
• Për tenderin e gjelbërimit, 7,084,896 lekë
• Për kolaudimin 21,960,000 lekë
• Nga mosvjelja e taksave, 100,938,000 lekë





