Ministria e Financave do të rishikojë buxhetin e shtetit përmes një akti normativ që në thelb lehtëson nga taksimi bizneset që dhurojnë për familjet e prekura nga tërmeti.

Sipas aktit normativ të financave, biznesit do t’i njihen donacionet si shpenzime të zbritshme në masën 8% nga 3% që është aktualisht. Kjo incentivë do të vlejë për periudhën e “gjendjes së fatkeqësisë natyrore” brenda afatit të përcaktuar në legjislacion, pra për një muaj.

Financat sqarojnë se njohja e shpenzimeve të zbritshme në masën 8%, do të mund të përfitohet nga bizneset vetëm nëse donacioni do të adresohet në llogaritë e thesarit, të vëna në dispozicion nga Ministria e Financave.

Gjithashtu ky akt vlen edhe për donacionet të bëra në formën e pasurive të paluajtshme për shkak të shpalljes së “gjendjes së fatkeqësisë natyrore”.

Nisur nga situata e jashtëzakonshme e krijuar nga tërmeti i datës 26 nëntorit, në ndihmë të familjeve të dëmtuara, Ministria e Financave dhe Ekonomisë nxit të gjitha bizneset që të kontribuojnë për nismën “Shqipëria Solidare” me qëllim lehtësimin e pasojave nga tërmeti tragjik.

Aktualisht, thirrjes së Qeverisë për kontribute për tërmetin përmes platformës online e-Albania/dhuro, i janë bashkuar shumë biznese nga brenda dhe jashtë vendit.