Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi, të cilit sot i është ngarkuar detyra nga Këshilli i Ministrave si koordinator i grupit të menaxhimit të krizës së shkaktuar nga tërmeti në qarkun e Durrësit, ka vizituar qytetin bregdetar.
Ndër të tjera, Çuçi tha se të gjithë banorët, banesave të së cilëve iu janë vendosur shiritat e kuq nga grupet e verifikimit, duhet t’iu drejtohen në strukturat vendore në mënyrë që të mund t’i dërgojnë nëpër hotelet që janë në dispozicion.
“Në këto banesa do të nënshtrollet kontroll teknik nga inxhinier, trupa të përbashkët ndërkombëtarë dhe nëse do klasifikohen për tu shembur, do shemben dhe do të ndërtohen nga e para”, tha ministri.
Më tej ministri Çuçi tha se është bërë evidentimi i banesave të rrezikshme, ndërsa u shpreh se numri i këtyre të fundit është i konsiderueshëm.
I pyetur se në çfarë mënyre do i ndalojnë banorët që të mos futen në shtëpitë e dëmtuara, ministri tha se kjo gjë do ndodhë përmes patrullave të policisë.





