Policia e Shtetit ka vënë në pranga një 30-vjeçar nga Lezha, i cili nëpër mjet rrjetit social Facebook kërkonte ndihma financiare për familjet e prekura nga termeti, duke postuar mesazhet e kryeministrit Rama.

Sipas zv.drejtoreshës së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj, shtetasi Arjan Meli është arrestuar në flagrancë pasi me anë të faqes në Facebook me emrin “Rilindje”, kërkonte ndihma monetare për banorët e prekur nga tërmeti, duke vendosur llogaritë e tij personale bankare.

“Policia e Shtetit, nëpërmjet strukturave të saj të specializuara kundër krimit kibernetik, në bashkëpunim me strukturat kundër krimit ekonomik dhe financiar gjatë ditës së sotme ka evidentuar dhe goditur një rast flagrant të përfitimit nëpërmjet solidaritetit mbarëpopullor për të ndihmuar familjet e prekura nga tërmeti.

Në këto momente, në Lezhë, është arrestuar në flagrancë shtetasi Arjan Meli, 30 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë.

Ky shtetas, nëpërmjet rrjetit social Facebook, ka hapur një llogari me emrin “Rilindje”.  Në këtë faqe, ky shtetas, ka postuar një status në emër të Kryeministrit, duke u bërë thirrje qytetarëve për solidarizim duke kontribuuar në vlera monetare në dy numra llogarie, të cilat ky shtetas i kishte publikuar në këtë status.

Theksojmë faktin se numrat e llogarisë ishin llogari private të këtij shtetasi dhe se gjatë kësaj kohe të shkurtër qytetarë të ndryshëm kanë rënë pre e këtij mashtrimi duke bërë derdhje shumash të ndryshme”, thekson Policia e Shtetit.