Qeveria shqiptare ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dy qarqe të vendit që janë prekur më shumë nga tërmeti: në Durrës e Tiranë.
Kryeministri Edi Rama tha në mbledhjen e qeverisë se “nuk është koha për asnjë polemikë, por kam parë disa raste mistrecllëku që kanë ndikuar opinionin publik sikur ne qënkeshim për të evituar gjendjen e jashtëzakonshme për të mos marrë përsipër përgjegjësitë tona.
Dua t’u them të gjithë qytetarëve se e kanë bërë të vetën këtë tezë pafajësisht se çfarë është gjendja e jashtëzakonshme për të na dhënë kohën që të bëjmë gjërat me radhë.
Kështu që ne do të shpallim gjendjen e jashtëzakonshme bazuar në Kushtetutë.
Gjendja e jashtëzakonshme nuk është thjesht çështje financash, por është një seri masash. Nuk e di a janë të gatshëm ata që e predikonin për t'iu nënshtruar këtyre masave. Kjo ka qenë arsye që ne kemi reflektuar, sepse gjendja e jashtëzakonshme përkon me marrjen ose krijimin e një niveli të ri të qeverisjes së situatës për një periudhë 30 ditore”
Nga tërmeti, sipas bilancit të fundit të Ministrisë së Mbrojtjes, kanë humbur jetën 24 persona dhe janë lënduar në total 657 persona.





