Ministria e Mbrojtjes së fundmi ka publikuar bilancin e plotë të bërë deri tani. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nga tërmeti kanë humbur jetën 24 persona dhe janë lënduar në total 657 persona.

Bëhet me dije se nga rrënojat e pallateve të shembura janë shpëtuar 45 persona, ku rasti i fundit i shpëtimit ishte 25-vjeçari Klajdi Qato në Durrës.

Për shkak të vështirësive të natës operacionet e kërkim-shpëtimit janë ndërprerë dhe kanë filluar mëngjesin e sotëm.

“Në kampingun e Thumanës dhe pranë objekteve të dëmtuara janë ngritur 67 çadra në të cilat janë akomoduar 700 banorë. Pranë kampingut të ngritur në qytetin e Durrësit dhe fshatrat Ishëm, Manzë, Sukth dhe Katund i Ri janë ngritur 181 çadra, ku janë akomoduar rreth 1450 banorë, si dhe janë montuar 10 banja fushore”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes.

Sot është shpallur ditë zie kombëtare nga qeveria. Sipas IGJEUM, që nga dje e deri sot, ka pasur rreth 310 paslëkundje.