Deputetja Rudina Hajdari ka kërkuar që qeveria shqiptare të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme pas situatës tragjike që shkaktoi tërmeti i fortë dhe emergjencës së krijuar në zonën e Durrësit dhe Thumanës, dy zonat e goditura më rëndë nga tërmeti.
Në një postim në profilin e saj në Facebook, Rudina Hajdari shkruan se me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme Shqipëria do të ketë mjetet e duhura dhe strukturat e nevojshme për të përballuar këtë fatkeqësi.
“Gjendja e jashtëzakonshme ka pushtuar Shqipërinë sot, i gjithë populli shqiptar është solidarizuar në ndihmë të familjeve të prekura nga tërmeti! Ky tërmet numëron dëme të panumërta në jetë njerëzish, si dhe në të mira materiale. Në funksion të kësaj, të gjitha strukturat e emergjencës me mjete sa të kufizuara, aq dhe bazike janë angazhuar për të shpëtuar jetë njerëzish nga rrënojat e shkaktuara nga kjo fatkeqësi natyrore. Tërmete bien në vazhdimësi dhe kjo situatë ka vështirësuar akoma dhe më shumë ndihmesën ndaj të dëmtuarve, dhe rrezikun e shpëtimit të tyre dhe të qytetarëve që i janë vënë në ndihmë. Në këtë gjendje emergjente, vërehet qartazi edhe gadishmëria dhe disponibiliteti i fqinjëve tanë për të na dhënë ndihmën e parë. Qeveria është e vetmja që ka në dorë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, me qëllim që sot, Shqipëria të ketë mjetet e duhura dhe strukturat e nevojshme për të përballuar këtë fatkeqësi.”





