Autoritetet qendrore dhe vendore në Durrës janë duke koordinuar punën për ngritjen e emergjencës, e cila është pozicionuar në stadiumin e qytetit, nga ku do të koordinojë punën e të gjitha institucioneve në varësi.

Pikërisht nga kjo qendër, do të jepen të gjitha udhëzimet e nevojshme për ndërhyrjet në terren, në orët dhe ditët në vijim.

Të pranishëm në këtë shtab janë prefekti, kryetarja e bashkisë, ministra etj.

Sipas informacioneve të deritanishme, bashkia e Durrësit konfirmon për “DurrësLajm”, se tërmeti ka lënë pas dëme të konsiderueshme: 3 pallate të shembura në qytet dhe 3 hotele të shembura në zonën e Plazhit.

Gërmimet në godinat e shembura vazhdojnë ende, pasi autoritetet shpresojnë të nxjerrin të tjerë njerëz të gjallë nga rrënojat.

Deri më tani, Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar se tetë persona kanë humbur jetën, 5 nga të cilët në Durrës, një në Kurbin e dy në Thumanë.