Gjatë fjalës së tij në takimin ku do të prezantohet paketa anti-KÇK, kryeministri Edi Rama i është përgjigjur pyetjes së një qytetari në rrjetet sociale, për shtëpinë, si dhe për udhëtimet me biznes-class, për qeverinë e tij por edhe fotot e publikuara në media ku shiheshin përfaqësues të opozitës, duke përmendur Bashën dhe gruan e tij si dhe Monika Kryemadhin, duke udhëtuar në Europë e duke bërë pazar.

Rama tha se si banesa e tij kanë 1 milion e gjysmë shqiptarë, ndërsa deklaroi se çdo faturë për ndërtimin e saj është bërë publike. 

“Jetojmë në një kohë kur secili thotë menjëherë atë që i vjen. Koha për të menduar është e shkurtër në minimum. Koha për të dyshuar është e shkurtër. Nuk mund të presësh të verifikojnë qytetarët, kur vet media nuk dyshon dhe nuk bën verifikime. Menjëherë atë që kanë para syve dhe atë që ju vjen ndërmend, e lëshojnë në ajër. Vila ime në Surrel? Cila vilë? Ne kemi bërë një program ku të ndërtojmë disa shtëpi për familje që jetojnë në mjerim. Janë ato shtëpi që të bëjnë të thotë treçerekun e komentatorëve; kjo është Shqipëria. Janë 1600 e pak. Po sa janë vila si puna e asaj në Surrel që janë ndërtuar në Shqipëri. Kam parasysh shtëpi që janë me 2-3 kate, që janë produkt i punës. Janë mbi gjysmë milioni. Ajo vila ime në Surrel ka një formë që e ka të ndryshme, siç jam unë i ndryshëm nga të tjerët. Por në raport me tërësinë e banesave individuale të shqiptarëve, është një banesë individuale e një familje shqiptare më shumë. Dhe kaq! Për të gjithë ata që kanë hedhur pafund baltë lidhur me të, mund të them; shtëpia ime është e deklaruar në çdo detaj dhe me çdo faturë. Unë do isha shumë i lumtur nëse të gjitha bashkëjetuesit në hapësirën publike të zhurmës politike të binim dakord dhe të bënin sqarim shtëpi më shtëpi për të ardhurat dhe sa korrespondojnë ato me produktin. Sa i takon biznes-class-it. Qeveria jonë e ka marrë këtë vendim; nuk udhëton me biznes-classit. Me përjashtim kur 195 cm e mia do duhet të dalin jashtë oqeanit. Pasi shtylla ime kurrizore është bërë çështje publike”, pohoi Rama.