Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka zhvilluar në Tiranë, Konferencën e përbashkët të përfaqësuesve politikë të shqiptarëve të rajonit me temë: “Roli i Shqipërisë në promovimin e interesave kombëtare të shqiptarëve në hapësirën e Ballkanit Perëndimor”.

Kjo konferencë, e konceptuar si një tryezë pune, mblodhi të gjithë përfaqësuesit e lartë politikë shqiptarë nga rajoni, si Ministrin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacollin, Nënkryetarin e Parlamentit të Malit të  Zi, Genc Nimanbegu, Kryetarin e Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, e shumë të tjerë.

Ministri Gent Cakaj shkruan në Facebook se, qëllimi kryesor i konferencës ishte krijimi i platformave të përbashkëta të veprimit dhe bashkërendimi i qëndrimeve politike në shërbim të afirmimit të të drejtave kombëtare.

POSTIMI I PLOTË

Sot filluam me Konferencën e Tiranës!

Kjo konferencë do të mbledhë të gjithë përfaqësuesit e lartë politikë shqiptarë nga rajoni në baza vjetore me qëllim të krijimit të platformave të përbashkëta veprimi dhe bashkërendim të qëndrimeve politike në shërbim të afirmimit të të drejtave kombëtare!

Roli i shqiptarëve është i patjetërsueshëm në mbështetje të proceseve euroatlantike në Ballkanin Perëndimor! Sidoqoftë, procesi i integrimeve euroatlantike nuk zëvendëson domosdoshmërinë e thellimit të bashkëpunimit mbarëkombëtar! Këtu veçanërisht duhet theksuar rëndësia e bashkërendimit të plotë të politikës së jashtme mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë!

Thellimi i marrëdhënieve brenda shqiptareve është sa detyrë kombëtare e historike aq edhe interes poltik e strategjik.