Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, anëtare e Aleancës Franceze, Valbona Sako, nëpërmjet një postimi në faqen e vet në Facebook, informon mbi një takim që ka mbajtur me përfaqësuesin e Agjencisë Franceze të Zhvillimit (AFD-Agence Française de Développement), Fabien Mainguy.
Sipas Sakos, Qeveria franceze premton të nisë “një seri investimesh që do të shpëtojnë Durrësin nga përmbytjet dhe do të përmirësojnë furnizimin me ujë të pijshëm”.
Agjencia Franceze e Zhvillimit, institucion financiar publik që zbaton politikën e përcaktuar nga qeveria franceze, ka shfaqur gatishmërinë sipas kryebashkiakes, “duke asistuar për zbatimin e një prej projekteve më madhore në qytetin tonë”.
“Ka qenë një jave tepër intensive me takime që do të konkretizohen në investime për të rritur kualitetin e jetës së qytetarëve tanë. Gati për sfidat e reja”, shkruan Sako ndër të tjera.





