Mazhoranca do të prezantojë të hënën më 24 nëntor, paketën speciale të paralajmëruar më herët nga kryeministri Rama kundër KÇK-së (Kap ç'a të kapësh).

Në rrjetet sociale, shefi i qeverisë thotë se ky mekanizëm do shkatërrojë themelin e foleve të krimit.

Edi Rama: Nesër prezantojmë Paketën Speciale Anti-KÇK. Një mekanizëm i ri me fuqi speciale kundër krimit e korrupsionit. Falë ndihmës së ekspertëve të huaj të klasit të parë në luftën kundër terrorizmit, mafias e krimit të organizuar, ky mekanizëm do shkatërrojë themelin e foleve të krimit.

Rama thotë se kjo paketë është hartuar me mbështetjen edhe të partnerëve ndërkombëtarë, SHBA dhe BE.

Edi Rama: Sot kur partnerët strategjikë të Shqipërisë e ambasadat e tyre janë vënë në shënjestrën e politikës mjerane të të çmendurve nga frika e drejtësisë, Paketa Speciale Anti-KÇK do të provojë përsëri se sa të paçmueshëm janë këta partnerë në luftën e Shqipërisë për progres e drejtësi.

Pa mbështetjen e SHBA/BE e ndihmën e përfaqësuesve të tyre në Shqipëri, s’do kishte nisur kurrë pastrimi i llumit të madh të (pa)drejtësisë e s’do ishte hapur dot kurrë perspektiva e barazisë së vërtetë para ligjit! Edhe Paketa Speciale Anti-KÇK s’do bëhej dot pa ndihmën e tyre.