Mungesa e aktivitetit fizik mes të rinjve në botë është kthyer në epidemi globale. Në rastin e Shqipërisë, rreth 74 për qind e adoleshentëve ushtrohen më pak se një orë në ditë në sporte. Teknologjia por edhe stili i jetës mendohet se do të ndikojnë në përkeqësimin e shëndetit fizik.
Katër në pesë adoleshentë nëpër botë ushtrojnë pak aktivitete fizike, çka po dëmton zhvillimin e tyre mendor, por edhe shkallën e aftësimit shoqëror.
Një studim i Organizatës Botërore të Shëndetësisë me moshat 11 deri 17 vjeç tregon se probleme shfaqin si shtetet e pasura dhe ato më të varfërat.
Në renditjen globale, adoleshentët aziatikë në Korenë e Jugut, Filipinet dhe Kamboxha renditen më dembelët e botës, ku mbi 90% e të rinjve ushtrohen më pak se një orë në ditë në sportet e vrapit, çiklizmit, notit, futbollit apo në gjimnastikë.
Shqipëria, ndërkohë, renditet vendi i gjashtë me fëmijët më aktivë në botë, edhe pse situata mbetet problematike për 73,9% të të rinjve.
Në nivel gjinor, vajzat shqiptare parqiten më pak aktive, me një diferencë mbi 10 për qind krahasuar me djemtë.
Ndërsa të rinjtë më të shkathtët raportohen në Bangladesh, Sllovaki, Irlandë dhe Amerikë.
"Disa vende kanë bërë përpjekje për të përmirësuar nivelet e aktivitetit fizik, por është rritur edhe përdorimi i teknologjisë, i lojërave në vend, dhe kjo po zhbën përpjekjet", u shpreh të premten autorja kryesore e studimit.
OBSH-ja rekomandon që adoleshentët të përmbushin objektivin e 60 minutave aktivitet fizik në ditë duke nisur nga shkuarja në shkollë me ecje ose me biçikletë, por edhe politikëbërësit kërkohet të sigurojnë ambiente sportive dhe rrugë më të sigurta për ta.