Presidenti Ilir Meta ka folur me tone të ashpra pas takimit me ish-presidentin Bujar Nishani duke akuzuar kryeministrin Edi Rama, sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi dhe kreun e KED Ardian Dvorani për një Kushtetutë të ndryshuar.
Ai tha se zgjidhja për Ramën e për disa palaço ndërkombëtarë është vetëm referendum, ndërsa deklaroi se sugjerimi për ta çuar debatin për anëtarin e Kushtetueses në Komisionin e Venecias, është për të shpëtuar Dvoranin.
“Zero surprizë nga vettingu i partisë. Vettingu i partisë u shpall para pak ditësh. Nuk jam i habitur se që ditën e parë që ka hyrë në zyrë ka pasur presione politike, që të bëhej pjesë e puçit për të penguar zonjën Marsida Xhaferllari për të ushtruar detyrën e saj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Unë nuk i bëj presion askujt. Nqs doni emra, nuk besoj se keni harruar deklaratën e zotit Xhafaj, i maxhorancës është, i cili i bëri presione dhe shantazhe anëtares së Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha, e cila jo vetëm kaloi vettingun e para por edhe ka qëndruar me sforco në atë detyrë për të mbajtur hapur derën e Gjykatës Kushtetuese të cilën e bllokoi Edi Rama me disa palaço ndërkombëtarë të cilët kujtojnë se mund të tallen me popullin e Shqipërisë. SHBA-të janë si yll, janë si shpirt, se me ato e kemi bërë Kushtetutën. Edhe Venecia ka folur shumë qartë. Presidenti nuk mund të bëjë dy emërime njëherazi. Ata punojnë me Kushtetutën që do të ketë ndryshuar Edi Rama, Agaçi, Dvorani. I ftoj të vijnë me ekspertët e tyre t’u tregoj Kushtetutën e Shqipërisë mbi të cilën jam betuar dhe Kushtetutë që si kryetar parlamenti e kam bërë me 140 vota. Ka vetëm një zgjidhje për Edi Ramën e për disa palaço ndërkombëtar, ka vetëm një zgjidhje Referendumi. Ata le të dalin me Edi Ramën unë do dal me popullin shqiptar. Larg duart nga Gjykata Kushtetuese”, theksoi Meta.





