Ambasadori i OSBE në Tiranë, Bernd Borchadt nuk është më i mirëpritur në Presidencë.  

Kreu i Shtetit, Ilir Meta i ka dërguar ditën e sotme një shkresë Zyrës së Asamblesë Parlamentare të OSBE në Kopenhagen, asaj në Tiranë dhe Drejtorisë së Protokollit të Shtetit pranë MEPJ në Tiranë, pas disa veprimeve që i konsideron të papranueshme.

"Institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë i paraqet komplimentat Zyrës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Kopenghagë, Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe Drejtorisë së Protokollit të Shtetit MEPJ në Tiranë dhe u bën me dije se:

Z. Bernd Bochardt, i cili vuri në diskutim Dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta për zgjedhjet vendore në Shqipëri të muajit qershor 2019 dhe që publikisht i tregoi gishtin qytetarëve shqiptarë nuk më i mirëpritur në Institucionin e Presidentit të Republikës.

Institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë përfiton nga rasti për t'i shprehur Zyrës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Kopenhagë, Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe Drejtorisë së Protokollit të Shtetit të MEPJ në Tiranë dhe vlerësimet e konsideratës më të lartë." thuhet në letrën që mban datën 18 nëntor.