Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Shkollës së Integrimit Europian, nga ku ka komentuar konfliktin mes mazhorancës, presidentit dhe opozitës për Gjykatën Kushtetuese.
Gjatë fjalës së tij, Soreca iu bëri thirrje institucioneve shqiptare të lënë mënjanë konfliktet dhe të ngrenë një institucion të besueshëm, ndërsa përsëriti thirrjen për dialog mes palëve.
"Të gjithë duhet të investojnë për të arritur një kompromis politik. Është për të mirën e Shqipërisë. U bëjmë thirrje të gjithë institucioneve në Shqipëri të lënë mënjanë konfliktet sa i përket Gjykatës Kushtetuese dhe të ngrenë një institucion të besueshëm. Reforma zgjedhore është një tjetër aspekt i rëndësishëm. BE kërkon rezultate konkrete në këtë drejtim. Sa më shpejt të jetë e mundur të përmbyllet paketa e reformës zgjedhore, BE do të investohet me kapacitetet më të larta teknike."





