Anëtarësia e Partisë Socialiste ka nisur të votojë sot në mëngjes për të zgjedhur delegatët e Kongresit që do të zhvillohet në shkurt të vitit të ardhshëm. Por paradoksalisht ka ndodhur ajo që kërkohet prej kohësh e ku debati politik nuk ka munguar. Për delegatët e Kongresit të PS është votuar në mënyrë elektronike, një praktikë e kërkuar shpesh nga partitë për zgjedhjet parlamentare, apo lokale, por e parealizuar asnjëherë.
Ky është edhe paradoksi, sepse në PS votohet elektronikisht dhe nuk ka asnjë pamundësi për një gjë të tillë, ndërsa në zgjedhjet e tjera kur shqiptarëve u duhet të vendosin për ata që do i qeverisin në pushtet qendror, apo lokal, kjo nuk ndodh.
Qoftë Partia Socialiste kur ka qenë në opozitë dhe qoftë Partia Demokratike e kanë kërkuar futjen e teknologjisë së avancuar për të rritur nivelin e integritetit të zgjedhjeve. Por, më së shumti këto kanë mbetur kërkesa të palëve në opozitë, sepse janë zbehur dukshëm, sapo njëra palë ka marrë pushtetin.
Përvoja e 28 viteve që janë zhvilluar zgjedhje parlamentare dhe lokale në Shqipëri ka nxjerrë në pah se procesi i numërimit dhe parregullsitë që e shoqërojnë atë kanë qenë temat më të nxehta.
Mjafton të kujtojmë konfliktin civil që ishte gati për të shpërthyer për votimet në qarkun e Fier gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 apo numërimi i zvarritur me pjesëmarrje deputetësh në zgjedhjet lokale të Tiranës në 2011-n.
Por, mesa duket asnjërës palë kur ka qenë në qeverisje nuk i ka interesuar votimi elektronik, sepse ka pasur mekanizma të tjerë për të ndikuar në rezultatin e një procesi zgjedhor, që zgjat pafundësisht në procesin e numërimit të votave.
Të gjitha palët në jetën politike të Shqipërisë, në momente e pozicione të ndryshme, e kanë pranuar se aplikimi i votimit elektronik është një përmirësim i ndjeshëm në cilësinë e procesit të zgjedhjeve. Përdorimi i teknologjisë së avancuar për procese apo shërbime publike e thirrur shpesh si “qeverisja elektronike”, është konsideruar si një prioritet nga të gjitha qeveritë e dekadës së fundit, shkruan gazeta "Shqip".
Por, Shqipëria vijon “metodën e vjetër” të votimit dhe të numërimit, duke zgjatur pafundësisht nxjerrjen e rezultatit dhe sigurisht kontestimin e tij nga pala humbëse.





