14 nëntori njihet si dita e çlirimit të Durrësit e sot shënohet 75-vjetori i ditës së Çlirimit të qytetit tonë.
Forcat partizane të Brigadës XII Sulmuese, në bashkëpunim me forcat e Brigadës XI Sulmuese, më 14 nëntor 1944, çliruan qytetin e Durrësit nga pushtuesit e huaj. Por për çlirimin nuk është zbrazur asnjë pushkë, pasi gjermanët u larguan dhe në tërheqje e sipër hodhën në erë pjesë të infrastrukturës.
Kryebashkiakja e Durrësit Valbona Sako, teksa uron festën e Çlirimit, fton për të reflektuar mbi të shkuarën dhe të ardhmen, mbi përpjekjet dhe sakrificat njerëzore. “Ngjarje të tilla janë një moment paqeje dhe bashkimi duke kujtuar sakrificën e luftëtarëve e të rënëve”, shkruan ajo.
Statusi i Sakos:
Gëzuar 75-vjetorin e Çlirimit!
Sot është një ditë e veçantë për qytetin tonë. Durrësi i ka dhënë Europës dëshmorët e parë shqiptarë të luftës kundër fashizmit.
Ndaj dhe ky 14 nëntor është një nga momentet kur secili prej nesh si qytetarë, të rinj, të moshuar, të reflektojnë mbi të shkuarën dhe të ardhmen, mbi përpjekjet dhe sakrificat njerëzore.
Ngjarje të tilla janë një moment paqeje dhe bashkimi duke kujtuar sakrificën e luftëtarëve e të rënëve.
Të gjithë bashkë të nderojmë veprën e atyre që dhanë jetën për çlirimin e Atdheut.
Mirënjohje përjetë!





