Nga BUJAR QESJA
Një lajm i dhimbshëm u përhap në paraditen e hershme, të kësaj të diele, të 10 nëntorit 2019. Madje ishte një telefonatë i mikut tim të vjetër, doktorit të njohur Lluka Heqimi, që kërkoi një informacion më të plotë për varrimin e tij.
Mbrëmë vonë, si rezultat i një arresti kardiak, dha frymën e fundit, kolegu ynë, shoku dhe miku i vjetër, Sotiraq Gjordeni. Kujtoj që vite të shkuara, u larguan nga jeta miqtë dhe kolegët tanë Palush Tati, Thanas Qerama, Haxhi Shima, Shaban Hidri, Hamdi Sallaku etj. Dhe tani Raq Gjordeni.
Gazetarët durrsakë kanë qenë të lidhur shumë njëri me tjetrin, duke kujtuar këtu një plejadë më të hershme si Kozeta Mamaqi, Thoma Qendro, Hasan Ulqini, Përparim Koçilja, e më pas më të rinjtë si Moikom Zeqo, Bardhyl Agasi,Thanas Mustaqi, Teuta Shahini, Bujar Qesja, Petraq Risto, Bashkim Hoxha, Ylli Ademi, Ilia Dedi, etj. Që të gjithë të inkuadruar tek gazeta jonë e hershme “Adriatiku”, që drejtohej nga Shaban Hidri, Hamdi Sallaku dhe Fatos Kulla.
Kujtojmë momente të bukura, nga lidhjet miqësore dhe profesionale njëri me tjetrin. Raqi tani së fundi, mbaroi librin me figura të njohura sportive “Visare të sportit shqiptar”, duke bashkëpunuar me mikun e tij Lluka Heqimi.
Për një kohë të gjatë, Gjordeni ishte korrespodent i gazetës “Zëri i Popullit” për Durrësin, duke qenë një figurë qendrore i publiçistikës durrsake. Takonim herë pas herë me Raqin, duke kujtuar kohët mbreslënëse kur shtypi i qytetit tonë, Durrësit, po zhvillohej me ritme të shpejta, falë edhe daljes në skenë të një grupi të talentuarish letrarësh dhe gazetarësh të rinj, të kryesuar nga Moikom Zeqo.
Dhimbja është e madhe. Durrësi humbi një publiçist me shumë vlera, ne mikun dhe shokun tonë të paharruar, gruaja Rexhina bashkëshortin model dhe djali, Adi, babain e shtrenjtë.
Ngushëllimet e mia familjarëve dhe të afërmëve të Sotiraq Gjordenit!
Të jesh i sigurtë, miku dhe kolegu ynë i vjetër, që s’do të harrojmë angazhimin aktiv në publiçistikën durrsake, por edhe komunikimin, humorin dhe mënçurinë tënde.
Dheu i lehtë Raq Gjordeni!





