Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka komentuar arrestimin e Redjan Rrajës, i afërmi i deputetit socialist Rrahman Rraja, si një ndër autorët e atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja, shoferit Andi Maloku dhe Pëllumb Muharremit.
Basha tha se kjo është në vazhdën e poshtërimit të PS, në vazhdën e poshtërimit të qytetarëve shqiptarë sepse sipas kryedemokratit tregon qartë se është një luftë mes bandave në pushtet.
"Fatkeqësisht është në vazhdën e poshtërimit të PS, të qytetarëve shqiptarë, sepse tregon se kjo është një luftë e pastër mes bandave në pushtet. Është tregues i qartë i nevojës për ndryshim të menjëhershëm dhe zgjedhje të parakohshme që do ti kthejnë qytetarëve dinjitetin, të drejtën e votës dhe do ti fuqizojnë duke zgjedhur në parlament dhe qeveri njerëz që meritojnë të udhëheqin aspiratat dhe dëshirat e tyre për ndryshim. Në funksion të kësaj është dhe turi im që sapo kam nisur. Një tur bashkëbisedimi dhe dëgjimi jo vetëm i halleve, por edhe zgjidhjeve që duhet të prodhojë një qeveri dhe parlament që të përfaqësojë interesat e qytetarëve dhe jo interesat e bandave kriminale siç tregon qartë edhe arrestimi i sotëm."





