INSTAT-i (Instituti shqiptar i Statistikave) ka botuar më 31 tetor 2019 anketën e turizmit “Pushime dhe udhëtime”, 2018. Anketa e Turizmit në Familje, “Pushime dhe udhëtime” është një vrojtim statistikor, që kryhet pranë njësive ekonomike familjare (NjEF) dhe ka objekt të gjithë individët me vendbanim të zakonshëm në Shqipëri mbi 15 vjeç.

Anketa mbledh të dhëna mbi udhëtimet me të paktën një natë fjetjeje për pushime, udhëtime pune dhe udhëtime të tjera, si dhe udhëtimet vajtje-ardhje, brenda dhe jashtë vendit.

Në vitin 2018, numri i udhëtimeve për qëllime personale apo biznesi (brenda apo jashtë Shqipërisë) të kryera nga individët banues në Shqipëri të moshës mbi 15 vjeç ishte 4 542 794.

Udhëtimet sipas destinacioneve

Në vitin 2018, destinacionet më të parapëlqyerat për udhëtime për qëllime personale apo biznesi në Shqipëri janë qarqet: Tiranë (27,1 %), Korçë (12,2 %), Vlorë (11,1 %) dhe Durrës (9,1 %).

Në udhëtimet e kryera jashtë Shqipërie përqindjet më të larta janë regjistruar në shtetet si: Greqi (7,3 %), Itali (4,6 %) dhe Mali i Zi (1,6 %).

Në vitin 2018, destinacionet të cilat kanë shënuar rritjen më të madhe të udhëtimeve krahasuar me vitin 2017, brenda vendit janë: Korçë (46,4 %), kjo, me sa duket për festën e birrës dhe Tiranë (22,1 %) dhe jashtë vendit: Tajlandë (79,5 %) dhe Dubai (57,1 %).

Th.M.