Një tragjedi ka tronditur garën prestigjioze Volta a Portugal, pasi çiklisti britanik 19-vjeçar Finlay Tarling humbi jetën gjatë zhvillimit të etapës së së premtes në Portugali.

Rrethanat e sakta të aksidentit janë ende duke u hetuar, ndërsa mediat portugeze dhe franceze raportojnë se Tarling dyshohet se u përplas nga një automjet që po lëvizte në drejtim të kundërt në segmentin ku po zhvillohej gara.

Pas ngjarjes së rëndë, gara u ndërpre disa kilometra para përfundimit dhe ceremonia e podiumit u anulua. Trupi i 19-vjeçarit u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Viana do Castelo.

Tarling ishte pjesë e NSN Development Team dhe konsiderohej një prej çiklistëve të rinj premtues britanikë. Ai kishte fituar vendin e tretë në garën individuale me kronometër U23 në Kampionatin Kombëtar Britanik këtë verë.

Ekipi i tij njoftoi me dhimbje vdekjen e sportistit, duke e përshkruar atë si një anëtar shumë të dashur të skuadrës, por mbi të gjitha si djalë, vëlla dhe mik. Edhe kryeministri portugez Luis Montenegro shprehu ngushëllimet për familjen dhe ekipin e të riut, duke thënë se lajmi për vdekjen e tij e kishte tronditur thellësisht.