Forumi Rinor i Partisë Demokratike, dega Durrës, është përfshirë nga një proces riorganizimi, që konsiston në ristrukturimin e të gjitha grupseksioneve brenda në qytetin bregdetar dhe në njësitë administrative. Janë duke u zgjedhur kryetarët dhe sekretarët për çdo strukturë rinore, ndërkohë që FRPD numëron rreth 1700 anëtarë në qytetin bregdetar. FRPD Durrës ka nga një kryetar për 3 zona të mëdha në të cilat është ndarë qyteti; një për lagjet brenda Durrësit; një për periferinë (Plazh, Shkozet dhe Spitallë) dhe një koordinator për njësitë administrative.

Artjon Bajramaj, kreu i FRPD Durrës për 15 lagje të qytetit, thotë për DurrësLajm, se krahas riorganizimit të brendshëm, të rinjtë po fokusohen edhe në punën në terren, e cila nuk konsiston vetëm në shtimin e numrit të të rinjve të përgatitur dhe mirëarsimuar që afrohen pranë strukturave, por edhe në përshkallëzimin e aksionit opozitar duke u përqendruar tek disa institucione të veçanta.

Bajramaj bën të ditur se në ditët dhe javët e ardhshme do t’i drejtohen me kërkesë për informacion Spitalit rajonal të Durrësit, Ministrisë së Shëndetësisë, Zyrës rajonale të Punësimit, Ministrisë së Arsimit etj për të marrë përgjigje lidhur me problematikat e studentëve por edhe qytetarëve të Durrësit. Më pas do të kalohet në veprime konkrete në terren, ku nuk përjashtohen protestat para këtyre institucioneve apo forma të tjera për të denoncuar fenomene negative dhe shqetësime të përditshme të qytetarëve.

Krahas ristrukturimit të Forumit, të rinjtë i janë nënshtruar javët e fundit edhe 3 trajnimeve të zhvilluara në PD-në e Durrësit e që ishin të fokusuara në përmirësimin e aktivizmit politik dhe diskutimin përmes eksperiencave personale të lektorëve për mënyrën e sjelljes dhe formën e diskutimeve apo debateve publike në fushatë zgjedhore apo në takime me qytetarë të ndryshëm.

Dy ditë më parë, lideri i PD-së gjatë një takimi që zhvilloi me të rinjtë, ku i pranishëm ishte edhe kryetari i forumit rinor të CDU-së dhe deputetë gjermanë, Basha deklaroi se do të ndërrmarrë një tur takimesh me forumet rinore në të gjithë vendin. Bajramaj thotë se takimi i së enjtes ishte shumë i frytshëm, pasi të rinjtë e pranishëm bënë sugjerime konkrete për programin e rinisë që do të hartojë PD, duke vënë theksin në nevojën për të hapur një zyrë punësimi pranë çdo universiteti të vendit për të bërë lidhjen mes universitetit dhe bizneseve, subvencione për aktivitete të organizuara nga të rinjtë etj.

M.B.