Ky është momenti kur nëna e Andi Malokut, shoferit të prokurorit Arjan Ndoja që mbeti i plagosur në atentatin me armë zjarri te mbikalimi i Shkozetit, mbërrin te spitali i Traumës. 30-vjeçari po i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale. E ëma e Malokut nuk është lejuar të futet brenda, çka ka sjellë dhe irritim të familjarëve.
Ata thonë se djali i tyre po jep jetën për një rrogë 30.000 si shofer. Pas shumë debateve, nëna e Malokut është lejuar të futet brenda. Ndërkohë prokurori Ndoja dhe Aleksandër Laho, gjithashtu të plagosur në atentat, po marrin trajtim në spitalin e Durrësit.
Detaje të reja dalin nga atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoja. Burime për gazetarin Elton Qyno bëjnë me dije se shoferi i prokurorit të Durrësit, Andi Maloku është ish-punonjës policie në Komisariatin e Krujës.
Mësohet se 30-vjeçari, i cili ka marrë dy plumba (një në gjoks dhe në shtyllë kurrizore) ka shërbyer si shofer i prokurorit Arjan Ndoja që nga koha kur ky i fundit është emëruar drejtues i prokurorisë së Durrësit nga ish-kryeprokurorja Ina Rama. Pas shkarkimit të Ndojës, Maloku ka qëndruar besnik ndaj duke e mbajtur postin e shoferit.
Atentati ndodhi pasditen e sotme teksa prokurori Arjan Ndoja po udhëtonte me dy persona të tjerë në automjetin tip “Benz” të llojit fuoristradë me targa ‘AA 333 ZD’, pranë Mbikalimit të Shkozetit.
Bashkë me Ndojan kanë mbetur të plagosur edhe dy personat e tjerë, shoferi i prokurorit, Andi Maloku 30 vjeç bashkë me Aleksandër Lahon, që ishte pasagjer. Laho njihet ndryshe edhe si Landi Muharremi dhe si “i tmerrshmi i Sukthit”.





