Policia e Durrësit pas një telefonate në numrin 112 se dy shtetas po vidhnin materiale ndërtimi te një firmë kanalizimesh, janë organizuar në një aksion për kapjen e tyre.

Dje në qendër të Durrësit te lagja nr.3, uniformat blu me maska në kokë, arrestuan në flagrancë shtetasin F. A., 53 vjeç, banues në Durrës.

Ndërkohë sot policia njofton se ka proceduar në gjendje të lirë edhe shtetasin Y. U., 46 vjeç, banues në Durrës.

Këta persona u kapën në flagrancë duke vjedhur dhe gjatë kontrollit fizik, shtetasit F. A. iu gjetën në xhep dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 6.5 gramë lëndë narkotike, e llojit marijuanë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe "Vjedhja", kryer në bashkëpunim.