Klima e nderë politike në gjirin e PS-së së Durrësit dhe raportet e tensionuara mes kryebashkiakes dhe Këshillit Bashkiak në mbledhjen e fundit janë komentuar jo pak në qytet. Për deputeten e opozitës së re, Edlira Hyseni, e cila hyri në Kuvend nga rradhët e LSI-së dhe për gati 4 vite ishte këshilltare bashkiake, konflikti tradicional mes të majtës dhe të djathtës tashmë duket sikur është transferuar brenda degës lokale të Partisë Socialiste.
Në gjykimin e saj, situata e krijuar në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak nuk i shërben qytetit, pasi qytetarët nuk kanë nevojë të shohin përçarje të tjera.
“Nuk më ka pëlqyer situata e krijuar në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak. Qytetarët nuk kanë nevojë për përçarje të tjera. Njerëzit që besojnë tek e majta kanë të dëshirë të shohin një të majtë të shëndetshme, të bashkuar. Njerëzit që besojnë tek e djathta presin të vijë momenti që me votë të sjellin në pushtet forcën politie që mbështesin”,– thotë Hyseni, duke nënvizuar se qytetarët janë të lodhur nga zgjatja në kohë e krizës politike, që ndikon në përkeqësimin e shumë aspekteve të jetës së përditshme.
Ndërkohë, duke u ndalur tek fenomeni i të “importuarve” nga Tirana në poste drejtuese në Durrës, Hyseni shprehet se “një punë më mirë se një durrsak në qytetin e vet askush nuk mund ta bëjë. Nuk ka rëndësi i majtë, i djathtë a i qendrës qoftë, rëndësi ka të jetë qytetar durrsak që këtë qytet e do. Kushdo që vjen e drejton dhe jeton edhe vetë në këtë qytet duhet të bëjë më të mirën. Durrësi ka intelektualë, ka qytetarë, ka të rinj të arsimuar, ka njerëz të aftë ta bëjnë shumë më mirë punën sesa kushdo tjetër”.
Emërimi i drejtuesve nga kryeqyteti në shumë institucione të rëndësishme në Durrës është pritur kohët e fundit me mjaft reagime jo vetëm nga qytetarët por edhe baza socialiste.
Rreth dy javë më parë ishte kreu i PD-së lokale, Ferdinand Xhaferaj që u kujtoi socialistëve se jo pak, por në 9 poste drejtuese në Durrës janë importuar drejtorë nga kryeqyteti. Ndërkohë, një ditë më parë, i pyetur po për këtë fenomen, nr.2 i socialistëve në Durrës, Arben Isaku u shpreh me ironi: Këta nga Tirana mesa duket janë më të zgjuar nga ne!
M.B.





