Mëngjesin e së hënës, është prezantuar drejtori i ri i Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vengu.
Në ambientet e Autoritetit Portual Durrës, Kryetarja e Bordit Drejtues, Viola Haxhiademi, njohu të pranishmit me vendimin e Këshillit për të pranuar dorëheqjen e ish-drejtorit, Agron Tare, ndërsa ka prezantuar pasardhësin në këtë detyrë, Pirro Vengu.
Tare ka falënderuar stafin për punën e deritanishme dhe uroi Vengun për detyrën e re.
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i APD-së, Pirro Vengu, nënvizoi besimin që i është dhënë nga drejtuesit e qeverisë dhe dikasteri i MIE, ndërsa kërkoi më shumë impenjim për realizimin e objektivave për të ardhmen.
“Prioritet i punës sime në vijim mbetet siguria e portit, ruajtja e trendit financiar me ritmet e deritanishme dhe zhvillimi i mëtejshëm i nyjes më të rëndësishme të Shqipërisë”, tha kreu i sapo emëruar i APD-së.
Pirro Vengu vjen në krye të APD-së pas një eksperience drejtuese disa vjeçare, fillimisht pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe së fundmi pranë Këshillit të Ministrave, ku ka drejtuar për dy vite Departamentin e Administrimit, Transparencës dhe Antikorrupsionit (DATAK).