Adrian Hila ka deklaruar në polici se ka qenë ai që ka vendosur kamerat në banesën e tij, por ka mohuar se qëllimi i tyre ka qenë regjistrimi i momenteve intime.

Gjatë dëshmisë së tij Hila ka shpjeguar se kamerat janë vendosur për qëllime sigurie, pas rasteve të vjedhjeve të raportuara në zonën ku banonte.

Sipas deklarimit të tij, kamerat ishin vendosur në vitin 2022, pra përpara publikimit të videove intime që kanë qarkulluar së fundmi në rrjet.

Hila ka thënë se bëhej fjalë për kamera të thjeshta, të vendosura në pika të ndryshme brenda dhe jashtë banesës, me synim mbrojtjen e pronës.

Sipas tij, kamerat nuk kishin memorie për ruajtjen e pamjeve, por funksiononin online.

Në lidhje me publikimin e videove, Hila ka deklaruar se për ngjarjen është vënë në dijeni nga miq të tij.

Hetimet për rrethanat e regjistrimit dhe publikimit të materialeve vijojnë, ndërsa autoritetet po verifikojnë mënyrën se si pamjet kanë përfunduar në qarkullim publik.