Sean “Diddy” Combs dyshohet se po gëzon një trajtim të privilegjuar gjatë vuajtjes së dënimit në një burg federal në SHBA, ku, sipas dëshmive të disa të burgosurve të cituara nga NBC News, ai ka pasur akses në celular, alkool dhe shërbime të tjera që nuk janë pjesë e jetës së zakonshme në burg.

Katër të burgosur që kanë qëndruar në të njëjtin krah me producentin 56-vjeçar të muzikës pretendojnë se të burgosur të tjerë gatuajnë dhe pastrojnë për të, ndërsa disa prej tyre i kanë bërë edhe masazhe.

“Këto nuk janë gjëra normale që shihni në burg. Këto janë gjëra që bëjnë njerëzit e pasur”, ka deklaruar një prej të burgosurve për mediat amerikane, duke shtuar: “Duket çmenduri, por po flasim për Diddy-n”.

Sipas të njëjtave dëshmi, të burgosur të tjerë paguhen për të pastruar tualetin dhe dushin e tij. Ata pretendojnë gjithashtu se i përgatisin ushqime jashtë menusë së rregullt të burgut, mes tyre pulë me kerri, pica dhe empanadas.

Pretendimet për celularin dhe alkoolin

NBC News raporton gjithashtu, duke iu referuar këtyre dëshmive, se Combs ka pasur akses në një pajisje celulare, të cilën e përdor për të parë Instagramin dhe fotografi me përmbajtje seksuale që, sipas raportimit, i janë dërguar nga ish-partnerja e tij.

Të burgosurit pretendojnë gjithashtu se Combs ka akses në antidepresivë dhe në një sasi alkooli të shtrenjtë, që dyshohet se futet kontrabandë në burg me ndihmën e disa oficerëve korrektues.

“Po, sigurisht që piva me të”, ka deklaruar një i burgosur, sipas raportimit.

Megjithatë, këto pretendime nuk janë konfirmuar zyrtarisht.

Zëdhënësi i Sean Combs i ka hedhur poshtë raportet për mënyrën se si ai po e kalon kohën në burg. Në një deklaratë për Page Six, ai tha se “monitorimi i vazhdueshëm i çdo detaji të parëndësishëm të jetës së Sean Combs në burg ka arritur në pikën ku media e paraqet jetën e përditshme të zakonshme të një të burgosuri si lajm”.

Zëdhënësi shtoi se “lajmi i vetëm i vërtetë është se ai vazhdon të vuajë dënimin e tij në përputhje me rregullat dhe pret me durim vendimin e gjykatës për apelin e tij”.

Edhe Byroja Federale e Burgjeve nuk ka komentuar konkretisht akuzat lidhur me Combs, duke iu referuar arsyeve të privatësisë dhe sigurisë. Megjithatë, agjencia ka deklaruar se futja e sendeve të ndaluara, përfshirë celularët, drogat dhe armët, mbetet një problem i vazhdueshëm në burgjet federale.

Sipas Byrosë Federale të Burgjeve, çdo akuzë për sjellje të pahijshme nga punonjësit korrektues shqyrtohet dhe, kur është e nevojshme, i referohet organeve përkatëse për hetim.

Dënimi i “Diddy”-t

Sean Combs është dënuar për dy akuza që lidhen me transportimin e personave për qëllime prostitucioni. Ai u dënua me 50 muaj burg dhe më pas u transferua nga Qendra Federale e Paraburgimit në Bruklin në institucionin korrektues federal Fort Dix, në New Jersey.

Sipas të dhënave të raportuara, data e planifikuar e lirimit të tij është 21 janari 2028.